Në Turqi janë të sigurt: Hasi tek Trabzonspor

08/05/2016 00:00

Në Turqi janë të sigurt se Besnik Hasi e ka zgjedhur tashmë skuadrën me të cilën do të vazhdojë karrierën, pavarësisht ngulmimit të ish-mesfushorit të njohur se i mbetet besnik kontratës me Anderlechtin.

Gazeta “Milliyet”mendon se tekniku kosovar që drejton aktualisht ekipin nga Brukseli, do të provojë për herë të parë një aventurë në kampionatin turk, gjithmonë e më shumë me cilësi në rritje dhe me një vëmendje të shtuar nga lojtarë të njohur.

Pas përfundimit të kampionatit belg me Anderlecht, me të cilën skuadër pritet të ndahet pas një kohe të gjatë, Besnik Hasi që është gjithashtu në radarin e kombëtares shqiptare dhe FSHF-së, ka luksin të zgjedhë mes ofertave prestigjioze.

Mediat turke, kanë bërë të ditur se ai do të jetë trajneri i ardhshëm i Trabzonsporit. Gazetari Hakan Gundogar ka bërë të ditur se marrëveshja mes dy palëve është arritur, por do të pritet pak javë për zyrtarizimin, deri në fund të sezonit.

Skuadra të tjera që kanë shfaqur interes për Besnik Hasin, janë Ingolstadt në Bundesligën gjermane, Nantes në Francë dhe Aston Villa në futbollin anglez.

Besnik Hasi është kandidat potencial dhe për Shqipërinë, në rast se Gianni de Biasi do të largohet pas Europianit 2016 me kuqezinjtë këtë verë.

Top Channel