FSHF-ja për dhunën në Dibër e Pogradec: Nuk do të tolerohet askush

08/05/2016 14:10

Dhuna e shfaqur pas përfundimit të dy ndeshjeve të rëndësishme dhe vendimtare të Kategorisë së Parë, Korabi-Kastrioti dhe Pogradeci-Luftëtari, ka shqetësuar Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila, pasi i ka dënuar ashpër këto akte, kërkon nga komisionet përkatëse në këtë institucion të jenë sa më të rrepta në zbatimin e rregulloreve.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, FSHF-ja pohon se nuk do të tolerohet askush që prish imazhin e lojës dhe frymën “Fair Play”, pavarësisht emrave që mbajnë klubet e përfshira në këto akte që nuk kanë asnjë lidhje me sportin dhe futbollin.

Të shtunën, fusha e Peshkopisë dhe ajo e Pogradecit u shndërruan në arena boksi. Tifozët dibranë nuk kanë ditur të kontrollojnë emocionet e fitores ndaj Kastriotit dhe në fund të ndeshjes  dhunuan lojtarët dhe stafin e skuadrës krutane, ndërkohë që në Pogradec, në fund të sfidës mes vendasve dhe Luftëtarit, pati një përleshjeje masive mes lojtarëve dhe stafeve të të dyja skuadrave.

Këto incidente në sfidat e Kategorisë së Parë vijnë pak ditë pas dhunës në përfundim të derbit Tirana-Partizani.

Top Channel