Greqi, protesta mbarëpopullore përpara miratimit të reformave drastike

08/05/2016 00:00

Një ditë para samitit tepër të rëndësishëm të Eurogupit për Greqinë, Parlamenti grek, i rrethuar me forca të shumta policore si masë paraprake për tubimet e sindikatave të sektorit  shtetëror dhe atij privat, pritet të votojë mbrëmjen e së dielës projektligjet e pensioneve dhe të tatimtaksave, parametrat e të cilave e kanë sjellë koalicionin qeveritar përballë kundërshtimit të opozitës së bashkuar dhe të të gjitha grupeve sociale.

Pas dy ditësh grevash të përgjithshme, që kanë paralizuar të gjithë vendin, grekët përshkallëzojnë protestat e tyre në Athinë dhe Selanik këtë të dielë, në të cilën janë shtyrë edhe tubimet e 1 Majit për shkak të festës së Pashkës ortodokse.

Reformat e pensioneve dhe të tatimtaksave janë propozuar nga qeveria, si pjesë e masave që Greqia u paraqet huadhënësve për të marrë paketën e tretë financiare të ndihmës ekonomike.

“Sistemi ynë sjell ndryshime në sistemin e sigurimeve shoqërore. Një ndryshim, që vendi kishte nevojë për dekada të tëra, por nuk mund ta kryente për shkak të sistemeve të kaluara politike, për shkak të hipokrizisë, demagogjisë dhe fiksimit pas disa rregullave anarkike dhe klienteliste”, tha Jorgos Katrugalos, ministrër i Punës.

Projektligjet e reja parashikojnë midis të tjerash, një pension kombëtar prej 384 eurosh për ata që kanë 15 vite punë kur mbushin 67 vjeç; tavan deri në 2.300 euro për pensionet e larta, rritje të kontributeve për punëdhënësit dhe nëpunësit; rritje të taksave në bazë të të ardhurave.

Votimi i sotëm do të testojë qeverinë “Tsipras”, që ka vetëm 3 vende më tepër sesa shumica absolute në Parlament, ndërkohë që kryeministri i majtë kritikohet nga kundërshtarët e tij, pasi fillimisht erdhi në pushtet – në janar të vitit të kaluar – me premtime për shfuqizimin e masave shtrënguese nga qeveritë e mëparshme, ndërsa tani vet ai po zbaton thuajse të njëjtën politikë.

Top Channel