Australia, drejt zgjedhjeve të parakohshme me fushatën më të gjatë në histori

08/05/2016 00:00

Australianët do t’u drejtohen kutive të votimit në datën 2 korrik, pas fushatës më të gjatë elektorale në historinë e vendit. Kryeministri Malcolm Turnbull shpalli zgjedhjet e përgjithshme disa muaj më herët, pasi Dhoma e Lartë e Parlamentit bllokoi disa herë rresht legjislacionet e qeverisë.

Të dielën, kryeministri i kërkoi guvernatorit të përgjithshëm, Sir Peter Cosgrove, që të shpërbëjë të dyja dhomat e Parlamentit. Sipas medieve, fushata do të dominohet nga ekonomia, arsimi dhe shëndetësia.

“Guvernatori i përgjithshëm pranoi këshillën time për të shpërbërë të dyja dhomat e Parlamentit dhe të shpallë zgjedhjet e parakoshme që do të mbahen më 2 korrik, në atë që njihet si shpërbërje e dyfishtë”, deklaroi kryeministri Turnbull.

Sipas sistemit politik australian, guvernatori i përgjithshëm është përfaqësuesi i kreut të shtetit, Mbretëreshës Elizabeth II-të. Shpërbërja e dyfishtë lejohet nga Kushtetuta australiane, kur Senati rrëzon dy herë rresht ligjet që janë miratuar nga Dhoma e ulët, apo ajo e Përfaqësuesve.

Kjo mundësi kushtetuese shfrytëzohet shpesh politikisht nga qeveritë, të cilat shohin avantazh te zgjedhjet e përgjithshme, pasi nëse kthehen në pushtet me votëbesimin e popullit do ta kenë më të lehtë që të miratojnë ligjet. Në zgjedhje do të votohet për 150 vendet e Dhomës së Ulët dhe për 76 vendet në Senat, hera e parë kjo që prej vitit 1987. Fushata ka nisur që tani, megjithëse thuasje dy muaj para zgjedhjeve, duke shënuar fushatën më të gjatë në historinë e vendit.

Top Channel