Kanada, zjarri masiv kërcënon edhe një tjetër provincë

08/05/2016 00:00

Zjarri kolosal, që vazhdon të shqetësojë në provincën kanadeze të Albertës, po rritet edhe më shumë dhe rrezikon që të kalojë në provincën fqinje të Saskatceuanit. Kushte e nxehta dhe të thata të motit po pengojnë ndjeshëm përpjekjet e qindra zjarrfikësve për të ndaluar flakët.

Zjarri gjigant bëri të detyrueshëm disa ditë më parë evakuimin e më shumë se 80 mijë njerëzve nga qyteti Fort McMurray, i cili është dëmtuar rëndë nga flakët. Mijëra njerëz të tjerë janë bllokuar në veri të qytetit dhe evakuimi i tyre duket se nuk mund të përfundohet pa mbaruar dita e dielë.

Autoritetet kanadeze thanë se, zjarri është plotësisht jashtë kontrollit, duke dërguar mesazhin e qartë te popullsia, se do të duhet shumë kohë për t’u kthyer në normalitet. Zjarri aktualisht mbulon një sipërfaqe prej 200 mijë hektarësh, ku përfshihen zona në flakë dhe zona të shkrumbuara totalisht.

Autoritetet dhe banorët, prej ditësh janë me sytë nga qielli në pritje të reshjeve të paralajmëruara, që mund të ndihmojnë në përpjekjet kundër zjarrit masiv. Në qytetin McMurray, lagje të tëra janë shkrumbuar plotësisht dhe do të kalojë shumë kohë, para se mijëra banorët e evakuuar të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Fatmirësisht nuk janë raportuar viktima apo të plagosur si pasojë e flakëve, gjë që sipas medieve është meritë e reagimit të shpejtë të autoriteteve, që evakuuan me nxitim zonat e banuara duke parashikuar forcën e pandalshme të zjarrit.

Top Channel