Drejtësia mizore e këshillave fisnorë në Pakistan

07/05/2016 00:00

Tronditja e opinionit publik në Pakistan nga vrasja makabre e një 16-vjeçareje të akuzuar se kishte ndihmuar një çift të ri të arratisej, është kthyer në zemërim ndaj rolit të luajtur në këtë ngjarje nga “Jirga” apo këshilli fisnor, i cili ka urdhëruar ndëshkimin e adoleshentes.

Ambreen Riasat u drogua e u dogj nga një grup burrash në një “vrasje nderi”, siç e përshkruajnë raportet në media. I ati i vajzës kërkon t’i shohë ekzekutuesit e saj të digjen të gjallë.

“Fëmija im u vra në mënyrë barbare. Ne jemi njerëz të varfër që dërdhim djersë për të plotësuar nevojat e përditshme. Unë dua që fajtorëve t’u jepet ndëshkimi më i ashpër i mundshëm. Të pafajshmit le të lirohen, por ata që vunë dorë mbi fëmijën tim duhet të digjen të gjallë në sheshin e fshatit”, thotë babai i vajzës.

Pavarësisht se kush e ka urdhëruar vdekjen e Ambreen, rasti në vetvete thotë Reuters, dëshmon qartë sesa të fuqishme mbeten tentakulat e drejtësisë informale në Pakistan. Këshillat fisnorë, apo jirgat siç i njohin në zonat pashtu dhe “pançajat” në panxhab, mbushin vakuumin e autoriteteve dhe vendimet e tyre zakonisht zbatohen pa kundërshtim.

Ngjarja e ndodhur në fshatin Makol, një zonë që nuk ka ndonjë histori të hershme abuzimesh të tilla, ka nxjerrë në pah rreziqet e mëdha që bart në vetvete një mënyrë e tillë vendimarrjeje.

Top Channel