Irani ‘bën bashkë’ Izraelin dhe Arabinë Saudite

07/05/2016 00:00

Shprehja “armiku i armikut tim, është miku im” zuri vend shumë mirë mbrëmjen e së enjtes në Institutin e Politikave të Lindjes së Afërme në Uashington, ku ish-shefi i inteligjencës saudite, Princi Turki al-Faisal, u ul në krah të ish-këshilltarit të Benjamin Netanjahut, gjeneralit në pension Yaakov Amidror, për të diskutuar mbi situatën e trazuar në rajon.

Kërcënimi bërthamor i Iranit mbizotëroi mbi të gjitha temat e tjera. “Ne që të dy jemi zyrtarë”, tha Faisali duke i kujtuar publikut se flasin në cilësinë e qytetarit të thjeshtë e nuk përfaqësojnë më qeveritë përkatëse.

Por deklarata e tij e mëpasshme padyshim reflekton atë çfarë mendohet në nivelet më të larta të drejtimit të shtetit.

Përsa i takon rritjes së fuqisë atomike të Iranit, u shpreh princi saudit, regjimi saudit i ka në tryezë të gjitha opsionet e reagimit, përfshirë këtu dhe pajisjen e atij vetë me armë nukleare.

“Duhet të jemi të përgatitur për t’i bërë ballë çdolloj kërcënimi që mund të vijë nga Republika Islamike”, ishin fjalët e tij.

Amidror e bëri të qartë se Izraeli do të marrë masa në momentin që do të vihet re qoftë edhe lëkundja më e vogël e Teheranit nga marrëveshja ndërkombëtare mbi programin e tij atomik.

Gjenerali pret që Irani të tentojë prodhimin e një bombe bërthamore kur ujdia, që i kufizon atij kërkimin e pasurimin e uraniumit për 10 deri në 15 vjet  t’i jetë afruar fundit të afatit, kjo gjithmonë nëse nuk e shkel më përpara.

Top Channel