Veseli kryetar i PDK-së me asnjë votë kundër

07/05/2016 00:00

Me 740 vota të delegatëve të Konventës së Jashtëzakonshme të Partisë Demokratike të Kosovës dhe pa asnjë votë kundër, Kadri Veseli është zgjedhur kryetar i ri partisë më të madhe kosovare.

Edhe pse gara për kryetar ishte e hapur prej disa javësh, asnjë zyrtarë i PDK-së nuk ka dalë kundër kandidat i Veselit, ndërsa ky i fundit i falënderoi anëtarët për besimin unanim por edhe ish-liderin partiak.

“Jeta më ka mësuar se asgjë më të shenjtë nuk ka sesa besimi i njeriut dhe faleminderit për këtë besim, do të jem mirënjohës gjithmonë. Falënderimi i parë shkon për njeriun që e udhëhoqi, ndërtoi dhe krijo PDK-në, presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçin”, tha Kadri Veseli.

Kryetari i ri i PDK-së që mbanë edhe detyrën e kryeparlamentarit kosovarë u zotua se do të punojë në reformim të partisë duke hapur dyert për kuadro të reja, ndërsa premtoi vazhdimin e punës për fuqizimin e shtetit të Kosovës. 

“Jam shumë i sigurt se PDK do të vazhdojë qëllimin dhe vizionin e saj për shtet të pavarur dhe sovran, të zhvilluar ekonomikisht dhe që punon çdo moment për ndërtimin e shtetit, ne jemi parti pro-evropiane”, shtoi kryetari i ri i PDK-së.
 
I pari që e ka uruar zgjedhjen e Veselit ka qenë ish-lideri i PDK-së Hashim Thaçi.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, emri i Kadri Veselit ishte i njohur në opinion për punën që ai ka bërë për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në udhëheqjen e Shërbimit Informativ të Kosovës deri më 2008 kur edhe zyrtarisht e deklaroi të mbyllur.

Veseli zyrtarisht i është bashkuar PDK-së më 2 nëntor 2012 ku mori edhe librezën partiake në vendlindjen e tij në Mitrovicë, për të vazhduar pastaj marrjen e detyrave udhëheqëse në parti dhe në institucione.

Top Channel