Italia humbet mesfushorin Verratti

07/05/2016 00:00

Marko Verratti humbet Evropianin e Francës. Mesfushori i PSG, i cili po vuan një dëmtim muskular që nga muaji janar do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, një zgjedhje kjo që ishte e paevitueshme për të.

Vetë Verratti nëpërmjet profilit të tij në Instagram ka konfirmuar mungesën në ngjarjen më të madhe futbollistike të kontinentit, duke deklaruar se nuk ia doli dot mbanë të riaftësohej në kohë për Euro 2016.

Tashmë trajnerit Antonio Conte nuk i mbetet gjë tjetër veçse të gjejë zëvendësuesin e tij. Duke parë këtë situatë, De Rossi sheh t’i rriten shpresat për të qenë pjesë e ‘Të Kaltërve’ në Evropianin e Francës dhe në dy ndeshjet e mbetura në kampionat duhet të bëjë një paraqitje të tillë që të mund të bindë trajnerin Conte.

Duke u kthyer te Verratti, në Francë, e përditshmja L’Equipe kritikoi ashpër PSG për mënyrën e kurimit të mesfushorit italian. Sipas saj 2 ishin gabimet e bëra nga kampionët e Francës në këtë pikë; së pari vendimi i marrë për të mos operuar Verrattin që në muajin dhjetor dhe së dyti udhëtimi i futbollistit në Las Vegas e Ibiza kur ai ishte në fazën e riaftësimit të tij.

Top Channel