Siri, armëpushimi në Alepo zgjatet deri të hënën

07/05/2016 09:15

Armëpushimi në qytetin e Alepos, në Siri, është zgjatur me tre ditë të tjera për të parandaluar përkeqësimin e situatës, ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes ruse.

Ushtria siriane njoftoi të mërkurën një armëpushim dyditor, dy javë pas luftimeve që lanë pas rreth 300 civilë të vdekur. Armëpushimi i ri bëhet në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë jetë një armëpushimi gjithëpërfshirës, plani për të cilin u prezantua në shkurt.

Rusia ka mbështetur aleaten e saj, Sirinë, me sulme ajrore që prej shtatorit 2015. Alepo, që ndodhet në veri-perëndim të Sirisë, ishte qendra financiare dhe industriale e vendit përpara se lufta civile 5-vjeçare të fillonte.

Aktet e fundit të dhunës të verifikuara atje kanë qenë fazat më të rënda të luftës përgjatë vitit të fundit. Raporte të ndryshme tregojnë se armëpushimi i shkurtër solli një periudhë qetësie për banorët e Alepos.

Një prej tyre, Sameh Tutunji tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se, dyqanet janë hapur dhe se njerëzit po marrin frymë lirisht. “Nuk dëgjuam zhurmat e bombave me të cilat ishim mësuar. Për më shumë se 10 ditë nuk pamë të vrarë”, tha Tutunji.

Top Channel