Vdes lojtari i Dinamos së Bukureshtit, pësoi atak gjatë ndeshjes

06/05/2016 00:00

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në ndeshjen e futbollit mes Dinamos së Bukureshtit dhe Vitorul në Rumani të zhvilluar mbrëmjen e së premtes. Lojtari i Dinamos Patrick Ekeng pësoi atak kardiak gjatë ndeshjes dhe ndërroi jetë në spital.

Ishte minuta e 70 e takimit, kur lojtari 26-vjeçar nga Kameruni ra në tokë pa pasur asnjë kontakt me ndonjë lojtar tjetër. Menjëherë arbitri kryesor i takimit ndërpreu ndeshjen dhe mjekët e ekipit u munduan t’i jepnin ndihmën e parë lojtarit.

Patrick Ekeng u dërgua më pas me shpejtësi në spital, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Lajmi i hidhur është dhënë nga mediat rumune, sipas të cilave futbollisti 26-vjeçar pësoi atak kardiak.

Cristian Pandrea, një zëdhënës i spitalit, tha se mjekët u përpoqën për rreth 1 orë të mbanin në jetë mesfushorin nga Kameruni, por nuk ja arritën.

Ekeng ishte aktivizuar në këtë ndeshje vetëm 7 minuta para se të binte në tokë. Ai më parë ka luajtur edhe në kampionatin spanjoll me Cordoba, klubin zviceran Lausanne dhe me Le Mans në Francë. Në vitin 2015 ishte transferuar në Rumani te Dinamo e Bukureshtit.

Ky është rasti i dytë që një futbollist i Dinamos së Bukureshtit ndërron jetë në fushën e lojës. Në vitin 2000 ishte kapiteni i atëhershëm i ekipit Catalin Hildan, i cili vdiq gjatë një ndeshjeje miqësore.

Top Channel