“Balkanfila” në Tiranë

06/05/2016 00:00

101 koleksionistë nga Ballkani, të apasionuar pas filatelisë, konkurrojnë mes tyre në Konkursin Ndërkombetar, ku Shqipëria është për herë të parë organizatore.

“Balkanfila” mori udhë në vitin 1965, por për Shqipërinë ëndrra për të qenë pjesë e kësaj gare ishte e largët, për vetë kushtet izoluese të kohës.

“Shqipëria ishte një vend i izoluar, as që bëhej fjalë të merrnim pjesë e jo më të bëheshim organizatorë. Në 92-shin morëm pjesë por organizimin s’e bënim dot për shkak të një mangësie të administratës. Nuk e kuptonin rëndësinë që ky event ka”, deklaron Bajram Peçi, koleksionist.

Ekspozita ndahet në disa seksione, ndërsa nis me filatelinë tradicionale që përfshin pullën e postës, zarfin e ditës së parë të udhëtimit, kartën maksimum dhe objekte të tjera filatelie.

Shqipëria duket se është favorite në njërën prej temave konkurruese. “Ne shpresojmë të marrim vend të parë. Është një vajzë që ka fituar një konkurs në Itali”, thotë më tej Peçi.

“Balkanfila”, e çelur mbrëmjen e 5 majit në GKA, do të qëndrojë e hapur deri më 9 maj, kur do të shpallen edhe fituesit.

Top Channel