SHBA, presidencialet “historike” të votave kontestuese

06/05/2016 00:00

Zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit të këtij viti mund të futen në histori si më të mëdhatë në botë ku kontestohet popullariteti i dikujt prej kandidatëve.

Rreth gjysma e votuesve amerikanë, të cilët mbështesin kandidaten demokrate Hillary Clinton, apo gjysma e atyre që mbështesin republikanin Donald Trump për të pasuar Barack Obamën në Shtëpinë e Bardhë, deklarojnë se e vetmja gjë e rëndësishme për ta është të bllokojnë rivalin tjetër të fitojë zgjedhjet.

Sondazhi në fjalë është zhvilluar nga “Reuters/Ipsos” dhe është publikuar të enjten në mbrëmje.

Rezultatet reflektojnë përçarjen gjithnjë e më të thellë ideologjike në Shtetet e Bashkuara, ku njerëzit po bëhen gjithnjë e më të frikësuar nga pala kundërshtare, një ndjesi që përkeqësohet edhe më tej kur mendohet se për Presidencën amerikane do të garojnë manjati i pasurive të paluajtshme, Donald Trump, si dhe ish-Zonja e Parë dhe ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton. Të paktën kështu mendon Larry Sabato, drejtoreshë e Qendrës për Studime Politike në Universitetin e Virxhinias.

“Ky fenomen njihet si negativitet partiak, – shton më tej Sabato. – Nëse do të na duhej ta lartësonim këtë efekt, nuk do të mund të gjenim nominime më të përshtatshme sesa Trumpi dhe Clintoni”.

Trump ka fituar mbështetje nga të apasionuar pas kritikave sarkastike, për shkak të gjuhës së ashpër të përdorur dhe propozimeve të linjës së ashpër, përfshi thirrjen e tij për të ndaluar futjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, angazhimin për të detyruar Meksikën të paguajë për ngritjen e murit ndërkufitar, si dhe premtimin për të rinegociuar marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë.

Ndërkohë, apeli i ish-Sekretares amerikane të Shtetit ndaj votuesve për të pasur vijimësi të politikave të Presidentit Barack Obama, i ka dhënë asaj kryesimin në garën për nominimin demokrat, megjithatë përballet me kundërshtimin e ashpër të atyre që janë zhgënjyer nga, ajo që ata e shohin si mungesë e progresit gjatë administratës “Obama”.

Sondazhi u bënte pyetje votuesve në lidhje me motivin kryesor që i shtynte ata të mbështesnin qoftë Trumpin, ashtu edhe Clintonin, në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit. Rreth 47% e mbështetësve të manjatit të pasurive të paluajtshme dilnin në krah të tij vetëm sepse nuk donin që të fitonte Clinton, ndërsa 43% e tyre thoshin se pëlqenin qëndrimet politike të Trumpit, sikurse kishte edhe nga ata që u shprehën se e pëlqenin personalisht atë, e këta ishin vetëm 6%.

Pothuajse të njëjtat përgjigje dominonin edhe mes mbështetësve të Clintonit. Rreth 46% e tyre janë shprehur se e votonin atë, vetëm sepse nuk donin të shihnin Trumpin si President të Amerikës, ndërsa 40% e tyre ishin dakord me qëndrimet e saj politike, por kësaj radhe ishin disi më tepër, plot 11% ata që e pëlqenin personalisht kandidaten demokrate.

Top Channel