Kim Jong-un hap Kongresin me lavdërimin e testimeve bërthamore

06/05/2016 00:00

Udhëheqësi komunist i Koresë së Veriut, Kim Jong-un e ka hapur si rrallëherë Kongresin e partisë së tij duke lavdëruar arritjet bërthamore të vendit.

Duke u shfaqur përpara mijëra delegatëve, ai tha se “rezultate të paprecedenta janë përmbushur deri më tani”.

Vetëm gjatë këtij viti, Koreja e Veriut ka njoftuar dhe ka bërë realitet testimin e një arme bërthamore, si dhe ka dërguar një raketë në hapësirë.

Kongresi i shumëpritur, i pari në 36 vite, pritet të jetë një mundësi e mirë për udhëheqësin e Koresë së Veriut për të “çimentuar” pushtetin e tij.

Më shumë se 100 gazetarë të huaj u ftuan, por u ndaluan të merrnin pjesë në Shtëpinë e Kulturës, ku po zhvillohet kongresi partiak i komunistëve.

Komentet e kreut Jong-un erdhën përmes televizionit shtetëror, që e shfaqte atë në podiumin e Kongresit, duke folur përpara një salle të tejmbushur. Ky është takimi i 7 i Partisë së Punëtorëve, teksa bota po e vëzhgon me vëmendje me shpresën për të pasur ndonjë shenjë ndryshimesh politike dhe ekonomike.

Shumë pak detaje janë publikuar përpara Kongresit, por pritet që gjatë punimeve të tij të zgjidhet një Komitet i ri Qendror, i cili emëron më pas Byronë Politike, siç njihet ndryshe organi kryesor vendimmarrës i partisë komuniste.

Në vitin 2013, Kim Jong-un ekzekutoi xhaxhanë e tij për “akte tradhtie”, teksa pas tij u përndoqën një sërë figurash të larta politike. Disa ekspertë thonë se e motra e Kim, Kim Yo-jong pritet të promovohet si figurë e lartë politike gjatë këtij kongresi.

Top Channel