Delegacion gjerman në Kosovë, Thaçi: I kemi tejkaluar ngërçet politike

06/05/2016 00:00

Përfaqësues të shoqatës gjermane për politikën e jashtme “DGAP” kanë vizituar këtë të premte Kosovën, ku janë pritur nga krerët më të lartë të institucioneve për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në takim me ta tha se pas disa muajsh krize politike, Kosova po kalon nëpër një fazë të re të komunikimit politik, ndërsa i ka siguruar miqtë se, Prishtina zyrtare do të përmbyllë së shpejti ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Sa i përket çështjes së demarkacionit, në Kosovë është përmbyllur me tri vendet fqinje në këtë proces. Por do të vazhdoj të punoj që të përmbyllet sa më shpejt edhe në Serbi, në kuadër të dialogut në Bruksel”, tha Hashim Thaçi, President i Kosovës.

Thaçi ka folur në këtë takim edhe për arritjet e fundit të shtetit të Kosovës, ndërsa ka theksuar nevojën e transformimit sa më parë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, por edhe anëtarësimin e vendit në “INTERPOL”.

Pas takimit me presidentin kosovar, përfaqësuesit e shoqatës gjermane për politikën e jashtme janë pritur në takim edhe nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili i siguroi ata se Kosova po përmbush kriteret demokratike për anëtarësim në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare.

Top Channel