Greqia është paralizuar prej mëngjesit të sotëm nga greva e përgjithshme 48 orëshe e organizuar nga Konfederata e Nëpunësve të Sektorit Shteteror ADEDY dhe e Unionit të Sindikatave të Sektorit Privat GSEE.

Në qytetet e mëdha, Athinë dhe Selanik ka pasur probleme në trafikun rrugor pasi nuk punojnë të gjitha mjetet e transportit publik. Gjithashtu në gjithë portet e vendit anijet janë të ankoruara për tre ditë rresht. Përsa i përket punës së doganave me Shqipërinë nuk do të ketë asnjë problem dhe do të funksionojnë normalisht. Gjithashtu edhe linjat ajrore nuk do të ndërpresin fluturimet e tyre.

Sindikalistët grekë protestojnë pasi qeveria ka çuar këtë fundjavë për miratim në Parlament projektligjet aq shumë të diskutuara të pensioneve dhe të tatim-taksave.

“Jemi 25 përqind me të varfër se në vitin 2010  dhe duhet të shpërndajmë një pakete më të vogël të pensioneve, por për herë të pare kjo do të bëhet në mënyrë të drejtë”, thotë Jorgos Katrougalos, ministër i Punës.

Qeveria Tsipras thotë se është munduar të ruajë shtresat e varfëra të popullsisë duke shpërndarë barrën e krizës tek ata që kanë të ardhura më të larta, sindikatat deklarojnë se përsëri çmimin e krizës e paguajnë qytetarët që shohin përsëri reduktime pagash, pensionesh dhe rritje taksash.

“Ata duhet t’i marrin pas këto masa. Kjo nuk mund të vazhdojë më gjatë, njerëzit duhet ta kuptojnë se kjo nuk mund të vazhdojë më”, thotë një protestues.

Në grevë marrin pjesë edhe të gjithë gazetarët duke mos transmetuar asnjë lajm për 48 orë, deri të dielën në mëngjes.

Top Channel