Referendumi britanik, Donald Trump mbështet “Brexit”

06/05/2016 00:00

Mbretëria e Bashkuar do të jetë më mirë jashtë Unionit Europian. Kështu mendon kandidati republikan për presidencën, Donald Trump, i cili shprehu pikëpamjen e tij për këtë çështje në një intervistë për “Fox News”.

Ai deklaroi se kriza e emigrantëve është diçka e tmerrshme që po i ndodh Europës dhe për këtë ai fajësoi Bashkimin Europian. Sidoqoftë, miliarderi njujorkez theksoi se nuk po jep rekomandime, por ai personalisht mendon se Britania e Madhe duhet të votojë për të ndërprerë lidhjet me BE-në në refernedumin e 23 Qershorit.

Në krahun tjetër të politikës amerikane, Presidenti amerikan, Barack Obama, shprehu mbështetjen e tij për qëndrimin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian.
 
“Unë mendoj se Mbretëria e Bashkuar është më mirë jashtë BE-së. Ky është mendimi im personal dhe nuk është absolutisht një rekomandim. Unë e njoh shumë mirë Britaninë e Madhe dhe kam shumë investime atje. Thjesht dua që ata të vendosin vetë”, deklaroi Trump.
 
Por në prill, Obama tha se nëse del nga BE, Britania e Madhe do të shkojë në fund të radhës për të bërë marrëveshje me SHBA, diçka që zemëroi akvitistët që duan daljen e ishullit mbretëror nga Unioni.

Obama tha se brenda Bashkimit Europian, Britania është një lojtar i fortë ndërkombëtar, ndërsa jashtë tij, influenca e Londrës do të reduktohej.

Top Channel