Akuzohet për dhunë, policia franceze hidhet në protestë

06/05/2016 00:00

Një protestë e rrallë, mbase unike, por që s’mund të vinte nga vend tjetër veç Francës, do të organizohet këtë muaj në vendin transalpin. Policia franceze do të dalë në protestë në të gjithë vendin kundër urrejtjes ndaj policisë.

Ky organizim policor vjen pas përleshjeve në demonstratat kundër reformave të punës, që sollën akuza për dhunë policiore dhe nisjen e disa hetimeve për sjellje të gabuar nga agjentët.

Por, Sindikata e Policisë dhe disa grupe të tjera që përfaqësojnë oficerët, bënë thirrje për një demonstratë më 18 maj duke shtuar se janë të zemëruar nga fushata e papërgjejgshme për të përshkruar policët si njerëz të dhunshëm që rrahin verbërisht të rinjtë.

Qëkur nisën protestat dy muaj në parë kundër reformës së punës të planifikuar nga Presidenti François Hollande, tensioni mes policisë dhe protestuesve është shtuar ndjeshëm dhe ka degjeneruar edhe në dhunë.

Më shumë se 1 mijë njerëz janë arrestuar dhe mbi 300 agjentë policie dhe xhandarë janë plagosur gjatë demonstratave. Sipas ministrit të Brendshëm, Bernard Cazeneuve, gjatë një proteste të javës së shkuar, të rinj të maskuar sulmuan policinë me mjete rrethanore duke plagosur 24 oficerë, tre prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Por, demonstruesit dhe sindikatat civile e kanë akuzuar policinë për taktika të dobta dhe përdorim të tepruar të dhunës. Ata thonë se policët duhet të mbrojnë dhe të jo dhunojnë qytetarët, ndërsa kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund represionit policor.

Autoritetet policiore thonë se agjentët të përballur me protestues të dhunshëm dhe me situatën e sigurisë së lartë në vend, kanë treguar përmbajtje shembullore dhe janë sjellë në mënyrë perfekte, pavarësisht se kanë qenë objektiv i një dhune të jashtzakonshme.

Zyrtarë të policisë thanë se edhe nëse ka agjentë që kanë tejkaluar normat gjatë ushtrimit të detyrës ata do të ndëshkohen, por kjo nuk mund të justifikojë fushatën kombëtare që nxit urrejtjen ndaj policisë.

Top Channel