Kanada, qyteti në flakë, mijëra evakuohen nga ajri

06/05/2016 00:00

Autoritetete kanadeze kanë nisur transportin ajror të rreth 8000 njerëzve që ja mbathën nga flakët në veri të qytetit Fort McMurray, i cili aktualisht është përfshirë nga një zjarr masiv.

Policia lokale tha se shpreson që autostrada që çon në jug të qytetit të sigurohet nga zjarrëfikësit në mënyrë që 17 mijë njerëz të tjerë të evakuohen dhe të mos mbeten të bllokuar. I gjithë qyteti prej 88 mijë banorësh u evakuua tre ditë më parë.

Por një pjesë e banorëve u larguan në veri të tij, zona që tashmë rrezikohen nga flakët, ndërsa pjesa më e madhe shkoi drejt jugut. Aktualisht, zjarri kolosal në provincën e Albertës që po përpin qytetin Fort Mcmurray është zgjeruar në një sipërfaqe prej 850 kilometrash katror.

Kryeministrja e Albertës, Rachel Notley paralajmëroi banorët se do të presin gjatë para se të mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Zjarri ka shkatërruar deri tani më shumë se 1600 struktura në qytet. Zjarri vazhdon që të rrisë përmasat e tij, por autoritetet thonë se po e vendosin nën kontroll, për aq sa mund të kontrollohet një zjarr me sipërfaqe prej 850 kilometrash katror.

Qyteti Fort McMurray është lënë plotësisht në mëshirë të flakëve dhe vetëm drejtimi i erës dikton se cilët zona të tij do të mbijetojnë. Ekspertët thonë se veç dorës së njeriut, për të ndaluar një zjarr të tillë duhet ndërhyrja e natyrës dhe reshjet do të ishin një ndihmë e madhe.

Në fakt, metereologët kanë parashikuar reshje dhe temperatura më të ulta në ditët në vazhdim dhe të gjithë shohin nga qielli me shpresën se do të vijë ndihma e shumëpritur.

Top Channel