SHBA, edhe kreu i Dhomës së Përfaqësuesve refuzon të mbështesë Trumpin

05/05/2016 00:00

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, i cili është edhe figura më e lartë e republikanëve që mbajnë një post aktualisht, nën qeverisjen e demokratëve, refuzon të japë mbështetjen e tij për Donald Trump si kandidat për president, të paktën për momentin.

Njoftimi i tij është bërë këtë të enjte gjatë një emisioni të titulluar “The Lead” në rrjetin amerikan CNN dhe vjen vetëm dy ditë pasi Trump arriti të siguronte, edhe pse jo matematikisht, nominimin mes republikanëve për president, pas fitores së arritur në Indiana, që detyroi të tërhiqeshin nga gara edhe dy rivalët e tij të fundit të mbetur.

Ryan tha se dëshironte pafundësisht ta mbështeste Trumpin, por ende nuk e sheh të arsyeshme diçka të tillë. Sipas tij, manjati i pasurive të paluajtshme ka ende shumë punë për të bërë për të bashkuar partinë.

Paul Ryan, i cili përjashtoi vetëm pak ditë më parë mundësinë që të kandidonte për president, nëse do të emërohej si i nominuar nga Konventa e republikanëve në korrik, tha se republikanët amerikanë dëshirojnë të shohin “një flamurtar që bart standardet tona” dhe që “unifikon të gjitha kahet e Partisë Republikane”.

Njoftimi i Paul Ryan vjen vetëm pak orë pasi, po këtë të enjte, edhe zëdhënësi i dinastisë “Bush” deklaroi se dy ish-presidentët e Amerikës, George H.W. Bush dhe George W. Bush, nuk do ta mbështesnin Trumpin për president, ndërkohë që vëllai më i vogël i tyre, Jeb Bush, ende nuk është prononcuar.

Top Channel