Merkel në Itali: Mbrojtja e kufijve, sfida e të ardhmes së Europës

05/05/2016 00:00

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i bëri thirrje liderëve europianë të mbrojnë kufijtë e jashtëm të Be-së për të shmangur atë që e cilësoi si rrezik kthimin në nacionalizëm.

Merkel, e cila zhvilloi një takim me kryeministrin italian Mateo Renzi në Romë, deklaroi se mbrojtja kufitare përfaqëson një sfidë për të ardhmen e Europës, nga Mesdheu deri në Polin e Veriut.

Kancelarja paralajmëron se lëvizja e lirë është seriozisht e kërcënuar, mes krizës më të rëndë të emigracionit që ka përfshirë kontinentin e vjetër që prej Luftës së Dytë Botërorë.

Nga ana e tij, kryeministri italian, i cili i druhet një vërshimi të ri të emigrantëve drejt Italisë, theksoi nevojën e hartimit të një strategjie për Afrikën, pas mbylljes së itinerarit ballkanik dhe marrëveshjes mes Turqisë dhe BE për të reduktuar fluksin e personave që kalojnë Egjeun.

“Gjëja më e rëndësishme është të investojmë në Afrikë në mënyrë që të reduktojmë varfërinë që detyron emigrantët të largohen nga shtëpitë e tyre”, propozoi Renzi.

Dy liderët kundërshtuan ashpër planet e Austrisë për të ndërtuar një gardh në kufirin me Italinë.

Kalimi i Brennerit ku Austria synon të ndërtojë gardhin është një prej pikave kufitare që përdorin emigrantët në rrugën e tyre drejt Europës Veriore.

Top Channel