Kosovë, memorial në Lladoc kushtuar dëshmorëve të UÇK-së

05/05/2016 00:00

Një memorial që do të përkujtojë bazën e parë të UÇK-së u përurua këtë të enjte në fshatin Lladoc të Podujevës. Përmendorja prej  bronzi i rikthen simbolikisht në bazën e tyre dëshmorët Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci. Memoriali është ngritur me përkujdesin e Qeverisë së Kosovës.

“Kosova pati vullnetin e pavdekshëm të djemve më të mirë, për të jetuar të lirë në shtëpitë e tyre, në tokën e të parëve, të cilën e deshën dhe e mbrojtën, që prej kur është mësuar për historinë e kësaj pjese të botës. Veprimtaria dhe rënia heroike e Zahirit, Hakifit, Edmondit dhe Ilirit, por edhe e të gjithë të rënëve të tjerë për altarin e shenjtë të lirisë së atdheut, le të dëshmojnë para botës se shqiptarët e Kosovës i ngjajnë feniksit, që ngrihet nga hiri i vet, dhe nuk ligështohen asnjëherë, madje as atëherë kur të tjerët mendojnë se i kanë nënshtruar”, tha Arban Abrashi, zëdhënës i qeverisë, ministër i Punës.

“Lladoci është sikurse Prekazi në Drenicë dhe Shqiponja në Gjakovë, të cilat ishin bazat kryesore të UÇK-së, nga të cilat fillonin, nderoheshin, mbaheshin dhe vepronin bashkëluftëtarët. Këto ishin bazat e sigurta të UÇK-së. E gjithë Kosova, të gjithë qytetarët e Republikës janë krenarë me heronjtë tanë, me heronjtë e kombit, janë krenarë me njerëzit që kanë kaluar në këtë bazë të UÇK-së, si Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Ilir Konjushevci dhe Edmond Hoxha”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.

Hakif Zejnullahu, së bashku me Zahir Pajazitin dhe Edmond Hoxhën, kanë rënë më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë. Ndërsa bashkëluftëtari i tyre, Ilir Konushevci u vra një vit më vonë, në një pritë në Shqipëri.

Top Channel