Britani, Londra pritet të zgjedhë të parin kryebashkiak mysliman

05/05/2016 00:00

Londinezët u janë drejtuar këtë të enjte kutive të votimit për të zgjedhur atë që mund të jetë i pari kryebashkiak mysliman në historinë e kryeqytetit britanik, ndërkohë që nëpër qytete të tjera të Britanisë pritet të ndëshkohet me votë popullore Partia Laburiste.

Sadiq Khan, ligjvënësi 45-vjeçar laburist, është favorit për të zëvendësuar konservatorin e shquar Boris Johnson në kryebashkiak i Londrës, pas një gare të njollosur kryesisht nga akuzat për ekstremizëm dhe mbjelljes së frikës.

Kandidati konservator për kryebashkiak, Zac Goldsmith ka përdoru fjalë të ashpra si “radikal” dhe “i rrezikshëm” teksa përshkruan Khanin, të cilin e akuzon se po u ofron “platforma, oksigjen dhe mbulim” ekstremistëve islamikë, një akuzë e përsëritur shpeshherë edhe nga kryeministri David Cameron, si dhe konservatorë të tjerë.

Khan, dikur avokat i të drejtave të njeriut dhe djali i një shoferi autobusi nga Pakistani, e ka përshkruar vetveten si “myslimani britanik që i lufton ekstremistt”. Ai ka akuzuar Goldsmithin, një ambientalist tepër i pasur, se po përpiqet të përçajë votuesit në një prej qyteteve më të shquara në botë për multikulturalizmin, e gjithashtu strehë e rreth 8.6 milionë banorëve, prej të cilëve më shumë se një milion janë myslimanë.

Në një mesazh në prag të zgjedhjeve, Khan premtoi se do të ishte “kryebashkiaku i të gjithë londinezëve”. “U bëj thirrje kryeqytetasve britanikë të zgjedhin shpresën përpara frikës”, tha ai.

Votuesit janë duke zgjedhur gjithashtu deputetët e Parlamentit skocez, si dhe ligjvënësit në Uells dhe Irlandën e Veriut, përveçse zgjedhin autoritetet lokale në Angli. Një fitore e Khan do të ishte një publicitet i shkëlqyeshëm në atë që konsiderohet si një ditë e zymtë për laburistët, të cilët kanë mbetur jashtë pushtetit prej vitit 2010.

Zakonisht, partitë opozitare fillojnë edhe fitojnë vende parlamentare gjatë zgjedhjeve në mes të mandatit, atëherë kur votuesit kërkojnë të ndëshkojnë pushtetarët. Por laburistët, nën drejtimin e udhëheqësit të majtë Jeremy Corbyn, mbeten të përçarë dhe të rrethuar nga një polemikë mbi akuzat antisemitizëm brenda radhëve të saj.

Sondazhet janë të hapura deri në orën 22:00 të mbrëmjes me orën lokale, apo 23:00 të ditës së sotme, ndërsa rezultatet e të gjitha garave priten të bëhen të ditura ditën e premte.

Top Channel