“Shtëpitë gozhdë” në Kinë

05/05/2016 00:00

Një pjesë toke ku janë të pranishme shtëpi të vjetra dhe rrënoja, të rrethuara nga ndërtesa të larta, është një zonë mjaft e shtrenjtë në Shangai, por edhe vendbanimi i disa prej njerëzve më kokëfortë në Kinë.

Zona gjendet në korridorin në zhvillim të shpejtë Shunzu ku sipërfaqet në qendra tregtare mund të arrijnë deri në 12 000 dollarë për metër katror. Lagjja “Gunagfuli” është ëndrra e një investitori, pasi mund të fitohen qindra mijëra dollarë në varësi të lartësisë së ndërtesave.

Por në terren, situata është një makth pasi një pjesë e banorëve nuk pranojnë që të largohen për shkak të çmimit të kompensimit që ata e konsiderojnë të ulët. Të dhënat zyrtare tregojnë se çmimet e pronave në Shangai janë rritur 25% në vit, por mesa duket nuk ka ndodhur kështu me kompensimet e banorëve.

Këta të fundit thonë se i është ofruar 4000 dollarë për metër katror në një zonë ku sipërfaqja vlen të paktën dy herë më shumë. Banorët thonë se në vend të parave mund të pranojnë edhe një shkëmbim të drejtë me sipërfaqe të njëjtë sa të banesave të tyre në zona të tjera.

Por shkëmbimi i shtëpive private me apartamente duket se nuk i pëlqen ndërtuesve. Disa zyrtarë kinezë thanë se banorëve ju ofrua çmim i drejtë disa vite më parë, por ata thjesht kanë zgjatur procedurat për të fituar më shumë para ndërsa çmimi rritet.

Situata të tilla nuk janë të rralla në Kinë dhe shpesh kanë rezultuar në absurditete arkitekturore si shtëpi në mes të autostradave apo në mes të gropave të hapura për parkingje nëntokësore duke krijuar edhe nofkën “shtëpi gozhdë”. Megjithatë, në një mënyrë apo tjetër, banorët detyrohen që të largohen për t’i hapur rrugën zhvillimit.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel