Davutoglu do të dorëhiqet, shkak mospajtimet me Erdoganin

05/05/2016 00:00

Spekulimet e ditëve të fundit mbi fatin e tij, mesa duket ishin të sakta. Ahmet Davutoglu është në fundin e rrugëtimit si kryeministër i Turqisë. Shefi i ekzekutivit konfirmoi raportet e medieve lokale me deklaratën e tij, e do të japë dorëheqjen gjatë Kongresit të jashtëzakonshëm të partisë në pushtet, AKP, që mbahet më vonë gjatë muajit.

Arsyet e këtij vendimi duhen kërkuar te përplasja e Davutoglusë me Presidentin Recep Tayyip Erdogan. Ka zëra se krisja mes dy udhëheqësve politikë është pasoje e mospajtimit të kryeministrit me planet e kreut të shtetit, për ta çuar Turqinë drejt një sistemi presidencial të qeverisjes.

Në fjalimin e tij, Davutoglu u zotua megjithatë për besnikëri ndaj Erdoganit, e tha se nuk i mban mëri askujt. Pasardhësi i kryeministrit turk do të zgjidhet në mbledhjen e Kongresit më 22 maj.

Më herët, këshilltari i Erdoganit, Cemil Ertem deklaroi për televizionin turk se, vendi dhe ekonomia në përgjithësi do të stabilizohen edhe më shumë, kur posti i shefit të qeverisë t’i kalojë një politikani që ndan pikëpamje të ngjashme me Presidentin Erdogan.

Ironia është se, ishte vet Erdogani, ai që e përzgjodhi Davutoglunë si pasuesin e tij në krye të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, pas zgjedhjes president në vitin 2014.

Lufta e brendshme për pushtet në Turqi dhe perspektiva e shpërbërjes së partneritetit më të rëndësishëm politik të saj, u sjell shqetësime të reja udhëheqësve europianë sa i takon angazhimit politik të Ankarasë për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut.

Top Channel