Michigan, Obama teston ujin e rrjetit: Nuk është i rrezikshëm

05/05/2016 00:00

Banorëve të qytetit të Flintit në Michigan, Presidenti Barack Obama u premtoi zgjidhjen e problemeve të shumta nga ndotja e ujit me përbërës të rrezikshëm.

Si për t’u treguar prindërve të shqetësuar se, fëmijët mbi 6 vjeç mund ta përdorin ujin pa ngurrim, shefi i Shtëpisë së Bardhë piu dhe vet ujë të filtruar nga ai i qytetit, të rrethuar prej kohësh nga skandali i kontaminimit me plumb.

Do të duhen më shumë se dy vite për të zëvendësuar tubacionet e vjetëruara të Flintit, por ndërkohë, uji i kaluar në filtër duhet konsideruar i sigurtë sipas presidentit.

“Uji që shihni në këtë tryezë është ujë i Flintit dhe është filtruar. Ai thjesht konfirmon atë që dimë shkencërisht, se po të përdoret një pajisje filtrimi, ky ujë bëhet i pijshëm”, tha Obama.

Kriza e ujit në qytet ishte rezultat i ndryshimit të burimit të tij. Përdorimi i ujit të lumit të Flintit me përbërje të lartë kripërash shkaktoi gërryerjen e tubave, e për rrjedhojë pati rrjedhje plumbi në ujë.

Banorët rezultuan me nivele të larta plumbi në gjak, çfarë është e rrezikshme sidomos për fëmijët, të cilëve mund t’iu shkaktojë probleme të pariparueshme në proceset mendore.

Top Channel