Kuba, në nevojë urgjente për të përshpejtuar investimet në turizëm

05/05/2016 00:00

Hapja me botën perëndimore është mëse e mirëpritur nga kubanët, por ka dhe vështirësitë e veta, e një prej tyre është dallga e interesit të vizitorëve amerikanë, që kapërcen kapacitetin e industrisë vendase të turizmit.

Numri i tyre thuajse është dyfishuar këtë vit, e për të përballur kërkesën në rritje, shteti komunist po mundohet të ndërtojë hotele të tjera e të zgjerojë Aeroportin e Havanës.

“Në të gjithë Havanën, por sidomos hotelet me 4 apo 5 yje të saj janë mbytur nga rezervimet. Ne po punojmë për kapërcimin e këtij ngërçi, megjithatë aktualisht kapacitetet nuk mjaftojnë për zgjidhjen e problemit, sepse kërkesat janë rritur ndjeshëm.Për këtë arsye e kemi përshpejtuar procesin e  investimeve”, tha Manuel Marrero, ministër i Turizmit në Kubë.

Turizmi po lulëzon në Kubë, që kur ishulli i Karaibeve dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan dhjetorin e 2014-s se do të punonin së bashku për të varrosur njëherë e mirë hasmëritë e Luftës së Ftohtë.

Vitin e kaluar, ajo pati një numër rekord vizitorësh, që mbërriti në mbi 3.5 milionë, e shifrat priten të lëvizin edhe më shumë, kur më vonë gjatë vitit të rifillojë edhe shërbimi i rregullt ajror mes dy vendeve.

Top Channel