Trump, nëse zgjidhet do të jetë presidenti më i vjetër i SHBA

05/05/2016 14:10

12 muaj më parë, pakkush mund ta besonte por sot Donald Trump pothuajse e ka të siguruar nominimin republikan. Në kampin tjetër gara vazhdon, megjithatë Hillary Clinton duket me gjasat më të mëdha për fitore, pavarësisht suksesit të Bernie Sanders në Indiana.

Tabloja për çdo rast është mjaftueshëm e qartë për të kuptuar se çfarëdo që të ndodhe më 8 nëntor, rezultati i votimeve ka për të qenë historik. Arsyet janë disa.

Kur Barack Obama kaloi për herë të parë pragun e Shtëpisë së Bardhë janarin e 2009-s ishte 47 vjeç, presidenti i pestë më i ri në historinë e Amerikës.

Nëse betimin do ta bëjë ai në 20 janar, Bernie Sanders do të jetë 75 vjeç, 6 vjet më i madh në moshë se presidenti më i vjetër në marrjen e postit, Ronald Reagan.

Donald Trump, që mbush 70 vjeç në 14 qershor, do të ishte gjithashtu presidenti më i vjetër i Amerikës dhe Hillary Clinton, që feston 69-vjetorin pas dy javësh, do të ishte e dyta më e vjetër.

Të dy skenarët, Trump kundër Clinton dhe Trump kundër Sanders do të ishin njujorkezët e parë që garojnë për president që prej 1944-s, kur guvernatori i atëhershëm Thomas E. Dewey u përball me Franklin D Roosevelt.

Një fitore e Trump do të ishte domethënëse dhe për një arsye tjetër: prej më shumë se 60 vjetësh në Shtetet e Bashkuara nuk është zgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë një politikan pa eksperiencë si guvernator apo anëtar Kongresi.

Triumfi i Hillary Clintonit do të përbënte një gur themeli për politikën amerikane, sepse do të ishte e para grua që merr në dorë frerët e vendit.

Fitorja e saj do të ishte e rrallë edhe për faktin se deri më sot, vetëm dy demokratë kanë pasuar në mënyrë të drejtpërdrejtë një tjetër demokrat si president. Më i fundit, James Buchanan, e mbajti këtë post nga viti 1857 deri në 1861-shin.

Top Channel