Red Bulli dënon rusin Kvyat, e kthen te Toro Rosso

05/05/2016 11:50

Incidenti me Sebastan Vettel në Çmimin e Madh të Rusisë i kushtoi rusit Daniel Kvyat. Drejtuesit e Red Bullit vendosën të ndëshkojnë pilotin duke e kaluar atë te Toro Rosso për Çmimin e Madh të Spanjës, për të sjellë në skuadrën e parë holandezin Max Verstappen.

Ky ndryshim vlen jo vetëm për garën spanjolle, por do të ketë efekt edhe për pjesën tjetër të sezonit, pasi, sipas rregullores, nuk mund të bëhen shkëmbime pilotësh më shumë se një herë në vit.

“Max Verstappen e ka shfaqur talentin e tij të jashtëzakonshëm. Paraqitjet e tij me Toro Rosson kanë qenë impresionuese dhe ne jemi të kënaqur që i japim atij mundësinë që të garojë për Red Bullin. Kemi privilegjin që në të dyja skuadrat tona të kemi 4 pilotë që kanë nënshkruar kontrata afatgjata gjë që na jep mundësinë të bëjmë shkëmbime mes tyre. Kvyat do të vazhdojë punën në zhvillimin e Toro Rossos makinë të cilën ai e njeh mjaft mirë. Ai do të ketë mundësinë që të shfaqë sërish të gjithë potencialin e tij”, ishte deklarata e Christian Horner.

Top Channel