Finalet në Champions, Madridi “parakalon” Milanon

05/05/2016 11:45

Milano do të jetë arena e përballjes mes Realit e Atletikos së Madridit në finalen e Ligës së Kampioneve. Ky ishte verdikti i dalë nga ndeshjet gjysmëfinale të kësaj mesjave, duke bërë që Madridi të bëhet kryeqyteti i Evropës përsa i përket këtij evenimenti. Ndeshja e 28 majit do të jetë finalja e 17 për kryeqytetin spanjoll (14 për Realin e 3 për Atletikon), që në këtë pikë parakalon pikërisht Milanon, që është ndalur në 16 të tilla (11 finale të Milanit e 5 të Interit).

Sfida e San Siros do të jetë një përsëritje e finales së 2 viteve më parë në Lisbonë, kur Reali i Madridit fitoi titullin e tij të 10 evropian për klube, duke mundur Atletikon në një ndeshje dramatike pas kohës shtesë. Fati deshi t’i japë këtë vit skuadrës së Simeones mundësinë e hakmarrjes ndaj “Los Blancos” dhe për të bërë realitet ëndrrën e madhe evropiane.

Nuk është hera e parë në historinë e Ligës së Kampioneve që një skuadre i jepet mundësia që të marrë revanshin ndaj një tjetre, si në rastin e Atletikos. Në këtë rast ajo që të vjen në mendje është historia e Milanit, që në vitin 2005 humbi ndaj Liverpulit në mënyrë dramatike me penallti. Pas 2 sezonesh, në Athinë, kuqezinjtë fituan titullin e tyre të 7 në kontinent, pasi mposhtën “The Reds” 2-0.

Kjo është hera e tretë që në finalen e Ligës së Kampioneve janë 2 skuadra spanjolle dhe në të treja rastet Reali ka qenë prezent. Në dy herët e mëparshme (2000 dhe 2014, ndaj Valencias e Atletikos), skuadra merenges ka dalë e fituar. Në të njëjtën kohë, Spanja barazon Italinë përsa i përket numrit të finaleve të Champions të luajtura, 27 të tilla.

Top Channel