Europa League, drejt një tjetër finaleje spanjolle

05/05/2016 11:30

Sot luhen ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Europa League, nga ku do të dalin skuadrat që do të diskutojnë trofeun në finalen e Bazelit dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe në këtë turne të kemi një finale spanjolle, ashtu si në Ligën  e Kampioneve.

Liverpuli do të presë në “Anfield” Vijarrealin. “Nëndetësja e Verdhë” fitoi javën e kaluar 1-0 dhe skuadrës së Jurgen Kloppit i duhet të fitojë me 2 gola diferencë për të luajtur finalen e 18 majit. Një detyrë kjo e vështirë, por jo e pamundur për t’u realizuar dhe për ta vërtetuar këtë mjafton të kujtojmë ndeshjen e çmendur që “The Reds” zhvilluan ndaj Dortmundit, duke fituar 4-3 pasi u gjendën në disavantazhin 1-3. Vijarreali është supriza e këtij edicioni të Europa League, pasi deri tani nuk ka pësuar asnjë humbje dhe është në kërkim të finales së parë në kompeticionet evropiane.

Sevija do të përballet në “Sanchez Pizjuan” me Shaktjorin dhe vjen në këtë ndeshje me barazimin 2-2 të arritur në Kiev javën e kaluar. Kjo do të jetë hera e katërt që andaluzianët do të luajnë kundër Shaktjorit. Dy herët e para këto dy skuadra u sfiduan në 1/8 e finaleve në sezonin 2006/2007, kur formati ishte Kupa UEFA, ku të fituar dolën lojtarët e Sevijas. Në atë kohë ndeshja e parë u luajt në Spanjë dhe përfundoi 2-2. I njëjti rezultat u pa edhe në të dytën, por një gol i Chevanton në kohën shtesë i dha mundësi Sevijës të kalonte në raunin tjetër për të fituar më pas edhe turneun.

Sevija ka vendosur një rekord në këtë kompeticion, pasi është skuadra që e ka fituar më shumë herë këtë turne dhe tani ajo kërkon një tjetër: të arrijë finalen dhe të fitojë Europa League për të tretin vit radhazi.

Top Channel