Kanada, zjarri “përpin” Albertën

05/05/2016 08:30

Autoritetet kanadeze shpallën gjendjen e emergjencës në provincën e Albertës, pasi një zjarr masiv detyroi 88 000 banorët e qytetit McMurray që të evakuoheshin. Zjarrfikësit dhe policia lokale paralajmëruan se zjarri mund të shkatërrojë pjesën më të madhe të qytetit dhe se 24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare.

Zjarri që nisi të dielën në pyjet jashtë qytetit, deri tani ka shkatërruar 1600 struktura, përfshirë një shkollë të re. Evakuimi i të gjithë banorëve të qytetit është më i madhi në historinë e Albertës. McMurray gjendet fare pranë një prej zonave më të pasura me naftë në botë dhe kompanitë që punojnë aty u detyruan që të ndërpresin punën.

Deri tani, fatmirësisht, nuk ka pasur raporte për viktima në njerëz. Autoritetet kanadeze thanë se zjarri katastrofik i ka rezistuar çdo metode ndalimi dhe vazhdon përpara duke shkatërruar qytetin. Nëse drejtimi i erës nuk ndryshon, sipas ekspertëve, zjarri do të vazhdojë rrugën e tij dhe do të përfshijë më shumë zona të qytetit.

Metereologët bënë me dije se temperaturat e larta të pazakonshme dhe erërat e forta të kombinuara me kushtet e thata atmosferike, i kanë dhënë zjarrit një avantazh të madh dhe këtë herë nuk duket se njerëzit mund ta ndalin.

Top Channel