Kosovë, Enver Hoxhaj emërohet ministër i Jashtëm

04/05/2016 18:40

Enver Hoxhaj do të jetë ministri i Jashtëm i Kosovës, që do të zëvendësojë në këtë detyrë Hashim Thaçin, i zgjedhur president i vendit.

Hoxhaj është prezantuar këtë të mërkurë në një konferencë për shtyp të mbajtur në selinë e PDK-së, në prani të kandidatit për kryetar të kësaj partie, Kadri Veseli.

Hoxhaj do ta drejtojë dikasterin e diplomacisë kosovare për të dytën herë, pasi e ka bërë këtë detyrë edhe gjatë qeverisjes së kaluar.

Gjatë konferencës për shtyp, Hoxhaj dhe Veseli kanë komentuar edhe vendimin e Brukselit për heqjen e vizave për Kosovën.

Hoxhaj ka vlerësuar se, bëhet fjalë për një ditë të veçantë për vendin dhe qytetarët, që më në fund mund të lëvizin të lirë në Europë. “Përmes kësaj të drejte, qytetarët e Kosovës do të përmbushin interesat e tyre thelbësore për ta”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa Veseli, nga ana e tij është shprehur se, Kosova po hyn në një epokë të re pasi po del nga izolimi ndërkombëtar. Ai ka theksuar se PDK ka qenë dhe mbetet lokomotivë e procesit të liberalizimit të vizave.

Top Channel