Thaçi takon ambasadorët: Gati të intensifikojmë dialogun me Serbinë

04/05/2016 17:10

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian të akredituar në Prishtinë, me të cilët ka diskutuar për vizionin e tij si president për hapat që duhet të ndjekë Kosova në normalizimin e raporteve me Serbinë dhe për rrugën drejt integrimeve evropiane.

Thaçi tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet më dinamik dhe theksoi që sa më parë të arrihet marrëveshja për paqe mes dy popujve.

“Tani janë pjekur kushtet që tërë procesi i dialogut të kalojë në nivel tjetër, tejet më dinamik, qoftë në procesin implementues, qoftë në arritjet e ardhshme të dialogut, apo marrëveshjeve. Pra, është e nevojshme që ajo që mund të arrihet për 5 vitet e ardhshme në një lloj të tillë të dialogut të kryhet në një periudhë sa më të shkurtër, 3 apo 5-mujore”, deklaroi Thaçi.

Në takimin me ambasadorët evropianë, presidenti foli edhe për gatishmërinë për të shndërruar së shpejti Forcën e Sigurisë në ushtri të Kosovës, ndërsa theksoi faktin se Kosova është lider në rajon në luftën kundër terrorizmit.

Kreu i shtetit kosovar nuk la pa komentuar anëtarësimin e Kosovës në UEFA, duke paralajmëruar me batuta se për këtë shkak, kombëtaret e futbollit në vendet nga vijnë ambasadorët mund të dobësohen.

Top Channel