Propozimi për heqjen e vizave, Mogherini: Krenare për Kosovën

04/05/2016 00:00

Rekomandimi për heqjen e vizave me Kosovën nga Komisioni Europian është përshëndetur nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mogherini ndjehet krenare për këtë arritje dhe njofton se do të mbërrijë në Prishtinë të enjten për të festuar dhe punuar për hapat e mëtejshëm të vendit në rrugën e integrimit europian.

“Krenare për propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Nesër do të jem në Prishtinë për të festuar dhe për të punuar për hapat e mëtejshëm”, shkruan Mogherini.

Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, gjatë prezantimit të rekomandimit në Bruksel tha se, shpreson që brenda 3 muajve Parlamenti Europian dhe Këshilli i ministrave të miratojnë hyrjen në fuqi të regjimit pa viza për kosovarët.

“E di sa i rëndësishëm është për popullin e Kosovës udhëtimi pa viza dhe jam shumë i kënaqur me progresin e arritur. Shpresoj që Parlamenti Europian dhe Këshilli do ta miratojnë shumë shpejt propozimin tonë”, tha Dimitris Avramopoulos.

Komisioni Europian e nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar të vitit 2012.

Top Channel