Kosovë, 5 Maji kërkohet të shpallet Ditë kombëtare e Dëshmorëve

04/05/2016 00:00

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së i kërkuan zyrtarisht qeverisë, që 5 majin ta shtojë në kalendar si Ditën kombëtare të Dëshmorëve në Kosovë.

“Po bëhen 17 vite që pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe organet shtetërore të Republikës së Kosovës heshtin. Heshtja ka shërbyer si përpjekje, që kjo kërkesë të tejkalohet pa i dhënë një përgjigje legjitime, pra pa ligjëruar një ditë që do t’iu kushtohej të gjithë të rënëve për lirinë tonë”, tha Xhavit Jashari, kryetar i organizatës.

Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga Instituti Albanologjik i Kosovës.

“Si institut që merret me të kaluarën e shqiptarëve dhe vlerat kulturore të tyre, natyrisht nuk mund të kemi asnjë qëndrim tjetër, përveçse të mbështesim pa rezerva dhe të përpiqemi ta argumentojmë, ndonëse do të duhej të ishte e argumentueshme kjo çështje, edhe për organet tona shtetërore”, tha Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Kosovës.

Familjarët e dëshmorëve janë të zhgënjyer nga fakti që, ende nuk ka një datë kur të nderohen të gjithë të rënët, por për këtë nuk fajësojnë vetëm qeverinë.

“Kjo është një neglizhencë ndoshta edhe e vet shoqatave, përveçse qeverisë. E ndiejmë veten shumë keq që pas 17 vitesh nuk ka asnjë ditë të shënuar, edhe pse në disa komuna ka filluar të respektohet kjo datë”, tha Avdullah Krasniqi, baba i dëshmorit të UÇK-së, Mentor Krasniqi.

E ndërsa qeveria ka marrë kërkesën për plotësimin e ligjit për festat zyrtare, 5 maji pritet të shënohet me homazhe në varrezat e dëshmorëve në të gjithë Kosovën.

Top Channel