NBA, Golden State fiton me përmbysje

04/05/2016 00:00

Emocionet në mbrëmjen e radhës së NBA nuk kanë munguar. Në Okland, Golden State Warriors fitoi ndaj Portland Trail Blazers 110-99, për të çuar në 2-0 serinë e përballjeve me Trail Blazers. Megjithatë, nuk ishte aspak e lehtë për kampionët në fuqi të NBA për të arritur këtë sukses.

Në “Oracle Arena” ishte Portland që e nisi më mirë takimin, duke marrë një avantazh prej 13 pikësh në periodën e parë, ndërkohë që në fund të 12 minutëshit të tretë ajo ishte 11 pikë para. Golden State e rriti ritmin e lojës në periodën e fundit, kur përmbysi gjithçka dhe kjo falë lojës së Klay Thompson, i cili edhe këtë radhë mori rolin e protagonistit për skuadrën e tij, duke e mbyllur takimin me 27 pikë.

Nuk mbeti prapa as Draymond Green me 17 pikë, 14 topa në tabelë dhe 7 assist. Ndeshja e tretë mes këtyre dy skuadrave do të luhet në Portland dhe në parket këtë radhë pritet të jetë edhe Stephen Curry.

Akoma më spektakolare ishte sfida e parë e gjysmëfinaleve të Konferencës së Lindjes mes Miami Heat dhe Toronto Raptors. Në “Air Canada Center” skuadra nga Florida fitoi ndaj Raptors me rezultatin 102-96, në një ndesjhje që kërkoi kohën shtesë për të përcaktuar fituesin. Në periodën e tretë, Miami krijoi një diferencë prej 10 pikësh ndaj Torontos, por skuadra kanadeze nuk u dorëzua dhe iu afrua ndjeshëm Miamit dhe në sekondat e fundit të takimit Lowri barazoi shifrat në 90-90, duke e çuar ndeshjen në 5 minutat e kohës shtesë. Në këtë moment u shfaq Dwayne Wade, i cili fillimisht e çoi rezultatin në 98-90, ndërsa më vonë pengoi Toronton të tentojë barazimin kur rezultati ishte 99-96.

Në fund, Miami fitoi takimin duke marrë kryesimin në këto gjysmëfinale ndaj Raptors 1-0.

Top Channel