Azilkërkuesit, KE propozon skemën e rishpërndarjes mbi bazë kuotash

04/05/2016 00:00

Komisioni Europian ka propozuar një sistem të shpërndarjes së azilkërkuesve anembanë BE-së gjatë kësaj të mërkure, që synon t’u lehtësojë ngarkesën shteteve të tilla si Greqia e Italia, ku ata janë dyndur më së shumti. E megjithatë, sërish mund të përballet me rezistencën e qeverive të Europës Lindore.

Ekzekutivi i Bashkimit Europian publikoi propozimet legjislative për të reformuar të ashtuquajturin sistem Dublini të rregullave të azilkërkimit në BE, ku përfshihet edhe një “mekanizëm drejtësie apo paanësie”, sipas të cilit secilit prej 28 vendeve anëtare duhet t’u akordohet një kuotë në përqindje e të gjithë azilkërkuesve në bllokun europian, aq sa ata të mund t’i përballojnë.

Kuotat duhet të reflektojnë numrin e popullsisë kombëtare dhe mirëqenien e tij, ndaj dhe nëse ndonjë vend arrin në konkluzionin se po trajton 50 për qind më shumë sesa detyrimi i saj, atëherë do të mund t’i rialokojë ata diku tjetër në bllok. Qeveritë mund të refuzojnë të marrin azilkërkues për një vit, vetëm nëse ata paguajnë një tjetër shtet që do të mund t’i akomodojë ata.

Skema dyvjeçare emergjente e rishpërndarjes është hartuar vitin e kaluar, kur Greqia po vuante me përballimin e mbërritjeve kaotike të afro një milion emigrantëve e refugjatëve, shumica e të cilëve prej Sirisë. Pjesa më e madhe e tyre, gjithsesi kanë mbërritur tashmë në Gjermani. Ajo u rakordua pavarësisht kundërshtimeve të furishme të disa vendeve të Europës Qendrore e asaj Lindore, dy prej të cilëve Hungaria e Sllovakia e kanë kontestuar sistemin e kuotave në gjykatat e BE-së.

Realisht deri më tani, vetëm 1.441 azilkërkues janë rishpërndarë mes 160 mijë të mundshmëve, bazuar mbi skemën aktuale të përkohshme. Propozimi, i cili përmban edhe masa për të përshpejtuar procesin e shqyrtimit të kërkesave për azil dhe forcimin e kontrolleve gjatë lëvizjeve të emigrantëve, kërkon mbështetjen e qeverive të secilit vend dhe të Parlamentit Europian, një proces që sipas zyrtarëve do të jetë një betejë e vështirë e që do të përfshijë edhe shumë amendime.

Top Channel