Francë, përcaktohet data e zgjedhjeve presidenciale të 2017-s

04/05/2016 00:00

Zgjedhjet presidenciale në Francë do të zhvillohen me dy raunde dhe do të mbahen ekzaktësisht më 23 prill dhe 7 maj të vitit 2017. Lajmi është bërë i ditur këtë të mërkurë nga qeveria franceze.

Sipas sondazheve të kryera deri më tani, ish-kryeministri Alain Juppe, i partisë “Les Republicains” të qendrës së djathtë, është aktualisht pretendenti kryesor. Megjithatë, pritet të garojë gjithashtu edhe udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila mbase mund të detyrojë një balotazh në raundin e parë, e më pas me siguri do të humbasë në të dytin.

Ndërkohë, njoftimi i qeverisë franceze bëri të ditur edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të zhvillohen vetëm një muaj pas atyre presidenciale, më 11 dhe 18 qershor.

Sa i përket kryetares së “Frontit Nacional”, një parashikim negativ vjen edhe nga i ati i saj, Jean-Marie le Pen, i cili gjatë një parade për “1 Majin” të zhvilluar nga përkrahës të partisë euroskeptike, tha se e bija e tij do të humbasë zgjedhjet presidenciale.

“Për sa kohë që nuk është dhënë asnjë sinjal pajtimi, mund ta them sot me bindje dhe trishtim se, presidentja e “Frontit Nacional” do të mposhtet në raundin e dytë, për të mos thënë që në të parin”, tha 87-vjeçari “armik” i së bijës. Megjithatë, ai mohoi që partia ekstremiste të jetë përçarë më dysh. “Ky është thjesht ai diversiteti i famshëm francez”, u shpreh Jean-Marie.

Jean-Marie le Pen u përjashtua nga partia e themeluar prej vet atij në vitin 2015, pasi ripërsëriti këndvështrimin e tij se Holokausti ishte thjesht një “detaj i historisë”. Ai e udhëhoqi “Frontin Nacional” për afro 40 vite, që prej formimit të tij më 1972-shin. Vajza e tij Marine le Pen e pasoi atë në vitin 2011, por prej atëherë ka nisur një fushatë spastrimi për të përmirësuar imazhin e partisë.

Top Channel