Sot luhet derbi Tirana-Partizani

04/05/2016 00:00

Luhen sot ndeshjet e javës së parafundit të Kategorisë Superiore dhe vëmendja do të jetë padyshim në derbin mes Tiranës dhe Partizanit. Është një ndeshje që do të vendosë shumë, sidomos për “Të Kuqtë” e Agostinelit, që janë në një garë të hapur me Skënderbeun në luftën për titullin kampion, ndërkohë që Tirana ruan ende shpresa për një vend në Kupat e Evropës për sezonin e ardhshëm.

Pas 3 fazave të para, bilanci flet për Partizanin që ka marrë 2 fitore dhe 1 barazim. Por, pavarësisht gjithçkaje, derbi është i tillë ku të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren me forca të dyfishuara, pasi rivalitetit të zjarrtë mes tyre i shtohen edhe llogaritë e fundit të sezonit.

Skuadrat do të zbresin në fushën e lojës në orën 18:30, pasi kanë mësuar edhe rezultatet e ndeshjeve të tjera të kësaj jave e më konkretisht ato të Skënderbeut e Teutës. Skuadra kampione do të presë Laçin në Korçë, ndërsa Teuta do të luajë në Ballsh me Bylisin, me këtë të fundit që lufton për mbijetesën në Kategorinë Superiore.

Në një presion të tillë është edhe Flamurtari, që do të përballet me Tërbunin në Pukë, ndërsa Vllaznia ka një ndeshje shumë të vështirë, atë në “Zeqir Ymeri” të Kukësit.

Top Channel