Një vajzë e vogël gjendet e gjallë nën rrënoja pas 4 ditësh

04/05/2016 00:00

Një vajzë 1-vjeç e gjysmë u nxor e gjallë nga rrënojat e një ndërtese që u shemb katër ditë më parë në kryeqytetin e Kenias, Najrobi. Ndërtesa 6-katëshe u shemb gjatë reshjeve të renda të shiut, duke i kushtuar jetën të paktën 22 personave.

Dhjetëra të tjerë mendohet se janë ende nën rrënoja, por ndërsa ditët kalojnë, shpresat për të gjetur të mbijetuar pakësohen.

Megjithatë, gjetja e vajzës së vogël ende gjallë është një lajm i mahnitshëm. Sipas ekipeve të shpëtimit, ajo u gjet e mbledhur me një batanije në një mbajtëse të sajuar, vendi ku duket se e kishin lënë prindërit e saj para se ndërtesa të shembej.

Vajza e vogël ishte e dehidratuar, por nuk kishte pësuar asnjë dëmtim fizik dhe tashmë është plotësisht jashtë çdo rreziku. Ekipet e shpëtimit thanë se gjetja e vajzës ishte një mrekulli shumë e nevojshme ndërsa vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar të tjerë.

Ndërkohë, mësohet se pronari i ndërtesës është arrestuar nga policia dhe pritet që të dalë në gjyq. Mediat vendase thanë se ndërtesa ishte caktuar për t’u shembur nga bashkia dhe pronari i saj nuk kishte leje që të jepte me qira 119 dhomat e saj.

Top Channel