Jeta reale dhe vizioni i Henrieta Levit do të vijë për publikun në komedinë “Qiell i heshtur”.

Në romancën, ku vëmendjen më të madhe marrin femrat, i vetmi personazh i trilluar ndodh të jetë edhe i vetmi aktor mashkull.

“Në fakt, kisha kohë që nuk luaja rolin e një romantiku. E kisha pak të vështirë. Është një personazh që bën një lloj ashensori ndërmjet botës maskiliste dhe asaj femërore. Pavarësisht se ajo është e pamartuar dhe ky ka një martesë, ai vazhdon të jetë i dashuruar”, shprehet Redjan Mulla, aktor.

Premiera e re në Teatrin e Metropolit e ka bërë regjisoren Armela Demaj të çelë një audicion për gjetjen e aktorëve të pjesës, mes së cilëve ka përfshirë edhe drejtuesen e teatrit në rolin e Eni Kanon.

Zgjedhjet ajo thotë se i ka bërë mbi bazën e profesionalizmit.

“Përzgjedhja e këtij kasti është bërë 100% me audicione dhe janë marrë absolutisht më të mirët që u paraqitën. Nuk kishte shumë prurje, por pata vëmendjen e duhur që të zgjedh pikërisht ata njerëz të cilët më përmbushnin edhe pritshmëritë e mija përsa i përket kërkesave skenike”,tha Armela Demaj, regjisore.

Nëse kjo trupë dhe pjesa e vënë në shqip do të korrë të njëjtin sukses si ai i arritur në skenat botërore, mbetet për t’u ndjekur shfaqja, e cila do ta ketë premierën më 5 maj.

Top Channel