Irak, ISIS vret ushtarakun amerikan, pjesë të “Navy SEAL”

03/05/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë pësuar një tjetër humbje në luftën e tyre kundër Shtetit Islamik, teksa zyrtarë të Pentagonit kanë njoftuar se një ushtarak amerikan ka humbur jetën të martën në Irakun verior, në atë që rezulton si ofensiva më madhore e xhihadistëve përballë forcave kurde në muajt e fundit.

Ushtaraku i vdekur rezulton amerikani i tretë i vrarë në luftime të drejtpërdrejta, që kur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara nisi fushatën e sulmeve ajrore në vitin 2014, për të “degraduar dhe shkatërruar” grupin xhihadist, teksa shihet edhe si një provë e thellimit të përfshirjes së tyre në konfliktin e Lindjes së Mesme.

“Ka qenë një humbje në luftim e sipër dhe sigurisht një humbje tepër e trishtueshme”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, për reporterët e interesuar gjatë udhëtimit të tij në Gjermani.

Një tjetër zyrtar amerikan i mbrojtjes tha se, ushtaraku i vrarë ishte pjesë e ekipit “Navy SEAL”, që konsiderohet si një prej forcave speciale operacionale të SHBA-ve më të afta për të ndërmarrë misione të rrezikshmërisë kaq të lartë.

Një zyrtar i lartë i forcave kurde “Peshmerga”, të cilët janë vënë përballë militantëve të Shtetit Islamik në Irakun verior, tha se ushtaraku amerikan është vrarë pranë qytetit Tel Asqof, rreth 28 km larg Mosulit, bastion i militantëve.

Xhihadistët e ISIS e pushtuan qytetin mbrëmjen e së martës, por më pas u zmbrapsën me të gdhirë dita nga forcat “Peshmerga”. Një zyrtar ushtarak amerikan tha se, koalicioni i kishte ndihmuar kurdët me mbështetje nga ajri, përmes avionëve “F-15” dhe “drone”-ve.

Top Channel