De Biasi: Nder për mua të drejtoj kombëtaren e Italisë

03/05/2016 00:00

De Biasi dhe Italia ditë pas dite dhe deklaratë pas deklarate, po i japin formë një lidhjeje të fortë, e cila mund të konkretizohet menjëherë pas përfundimit të këtij Europiani.

Në ditën e triumfit të mikut të tij Claudio Ranieri me surprizën e tij Leicester në Premier Ligën angleze, trajneri i përfaqësueses shqiptare, Giani De Biasi shprehet se ajo që ka arritur Ranieri më tepër se një përrallë është një poezi.

Më pas, i pyetur nëse do të merrte apo jo përfaqësuesen italiane, De Biasi për herë të parë sqaron hapur dëshirën dhe objektivin.

“Do të ishte një nder për mua, kush nuk do të adhuronte të ishte trajner i Italisë?” Për të gjithë në Itali arritja e Ranierit me Leicesterin e tij modest, në një nga kampionatet më të bukur në botë, i kujton arritjen e De Biasit me Shqipërinë në finalet e Europianit të Francës.

“Po mund të ketë një paralelizëm mes të dyja arritjeve, kur krijon një lidhje të fortë me lojtarët e t’u mund të bësh gjëra të mëdha”, shton De Biasi.

Dëshira e trajnerit të përfaqësueses sonë konfirmohet fjali pas fjalie, ashtu si edhe nga frika se e gjithë kjo jehonë ndodh si në politikë: “Shpresoj mos të ndodhi si në politikë, kur emri që përflitet është ai që digjet”, shton  trajneri i kuqezinjve që mbyll deklaratën e tij duke theksuar: “Për momentin po mendoj për Europianin dhe Shqipërinë time, më pas të shohim…”, mbyll deklaratën e tij De Biazi, i cili është një emër më tepër se alternativë për “Axurrët”, që me sa duket do të kenë në të ardhmen një trajner shqiptar, të paktën me letra. 

Top Channel