Yjet që mund t’i bashkohen Kosovës

03/05/2016 00:00

Futbollistët e shumtë me origjinë nga Kosova që luajnë për përfaqësuese të tjera, përfshirë këtu edhe ata që luajnë për Shqipërinë, nuk i pengon më asgjë për të mbrojtur ngjyrat e Kosovës.

Anëtarësimi historik në UEFA e bën thuajse formal anëtarësimin e Kosovës edhe në FIFA, që duket mëse i sigurtë. Por tashmë vëmendja shkon te futbollistët që do të jenë pjesë e përfaqësues së Kosovës në fushatën e saj të parë eliminatore, që mund të nisë që nga shtatori me botërorin e Rusisë.

Trajneri Albert Bunjaki ka tashmë një skuadër të aftë për t’u përballur denjësisht me çdo kundërshtar, megjithatë të gjithë do të dëshironin që pjesë e kësaj përfaqësueseje të bëhen edhe lojtarë të tillë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Adnan Januzaj. Federata kosovare e futbollit ka dalë tashmë me një qëndrim zyrtar dhe ai është se futbollistët që janë pjesë e kombëtares shqiptare nuk do t’i bashkohen skuadrës së Albert Bunjakut.

Në këtë kontekst vëmendja shkon te lojtarët me origjinë kosovare që luajnë për përfaqësuese të tjera. A do të bashkohen Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri me përfaqësuesen Kosovës? Kjo është pyetja që mbizotëron aktualisht në kokën e të gjithëve. Duke qenë se Kosova nuk ka patur më herët një përfaqësuese që njihej me të drejta të plota në Uefa dhe Fifa, të gjithë futbollistët kosovarë që luajnë për ekipe të tjera lejohet të bëhen pjesë e skuadrës së drejtuar nga Albert Bunjaki.

Duhet pritur vendimi i Granit Xhakës dhe Shaqirit, por i sigurtë duket se është pas pranimit në Uefa me Kosovën do të bashkohet Adnan Januzaj. Lojtari i Manchester United ka vendosur të lërë Belgjikën për t’u bërë pjesë e vendit të tij të origjinës. Shani Tarashaj, lojtari i Grasshoppers, por që në verë do të luajë për Evertonin, ka vetëm pak kohë që është bërë pjesë e përfaqësueses zvicerane, por edhe ai mund të jetë një opsion për Kosovën.

Dy emra të tjerë janë të dy vëllezërve Valon dhe Veton Berisha, që aktualisht janë pjesë e përfaqësues së Norvegjisë. I pari luan për Red Bull Salzburgun në Austri ndërsa vëllai më i vogël, Vetoni militon në radhët e Greuther Furth në Bundesligën e dytë gjermane. Një tjetër Berishë që është i gatshëm t’i bashkohet Kosovës është Besarti nga Australia.

Po ashtu edhe Celina i Manchester City-t, që është thërritur nga trajneri Bunjaki, ndërsa nga Kuqezinjtë, i vetmi që mund të largohet është Alban Meha, i cili nuk po gjen hapësirë tek Shqipëria. 

Këta janë disa nga emrat që mund t’i bashkohen përfaqësues së Kosovës, por ka edhe plot e plot të tjerë që luajnë me ekipet e moshave në vendet e Perëndimit, veçanërisht në Zvicër.

Top Channel