Ka qenë një eksperiencë e frikshme ajo që detyroi një burrë në Kolorado të Shteteve të Bashkuara të mbyllej në dhomën e gjumit e të mos dilte prej andej pa mbërritur ekipet e emergjencës.

Në momentin që hyri në apartamentin e tij, në katin e dytë të ndërtesës, burri ka dëgjuar zhurma e kur i është afruar kuzhinës ka parë një ari që i kishte mësyrë frigoriferin.

Bëhej fjalë për një ari të zi të vogël, të cilin zjarrfikësit e kanë joshur të dilte nga dhoma e pas kësaj e kanë trembur që të largohej.

Zjarrfikësve në Amerikë u qëllon t’i kërkojnë për emergjenca nga më të ndryshmet, por dëbimi i një ariu hajdut ishte e pazakontë edhe për ata vetë. Incidenti u mbyll pa asnjë lëndim, as të njeriut e as të kafshës, që nuk dihet sesi arriti të hynte në apartament.

Sipas autoriteteve shtetërore dhe Agjencisë së Jetës së Egër, Kolorado është shtëpi e gati 12.000 arinjve të zinj, të cilët dalin rëndom në kërkim të ushqimit, duke dëmtuar ndonjëherë edhe prona.

Top Channel