Anëtarësimi në UEFA, Thaçi e Mustafa: Krenarë për Kosovën!

03/05/2016 00:00

Pranimi i Kosovës me të drejta të plota në Unionin e Federatave europiane të Futbollit, UEFA, ka emocionuar jo vetëm sportistët, por edhe udhëheqësit kosovarë. Këtij lajmi, pa dyshim që më së shumti iu gëzuan ata që dhanë shumë për futbollin e Kosovës, por që asnjëherë nuk arritën të përfaqësojnë shtetin e  tyre në arenën ndërkombëtare.

“Fitoi drejtësia. Gjatë karrierës time si lojtar profesionist dhe si trajner kam pasur shumë gëzime. Por, mendoj që në këtë moment do t’i lija të gjitha mënjanë për këtë festuar këtë që ka ndodhur sot”, tha Rafet Prekazi, ish-futbollist.

“Ishte një moment i veçantë në jetën dhe karrierën time sportive. Është një datë historike. Një moment, të cilin e kemi pritur prej shumë gjeneratash”, tha Genc Hoxha, ish-futbollist.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Presidenti Hashim Thaçi ishte i pari ndër politikanët, i cili e ka vlerësuar këtë arritje si lajmin më të mirë për tifozët e Kosovës. “Tani e tutje do të luajmë në kampionate ndërkombëtare. Disa ndeshje do t’i fitojmë, disa do t’i humbasim, por kurrë s’do të na ndalin më nga fushat e gjelbërta”, ka shkruar Presidenti Thaçi.

Kryeministri Isa Mustafa, i cili gjendet në Budapest, ka shkruar se Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme, të cilat – sipas tij, – do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Pranimin e Kosovës në UEFA e ka përshëndetur edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili ka shkruar se, më në fund erdhi dita e daljes nga izolimi i tejzgjatur për futbollin kosovar.

Ndërsa ish-Presidentja Atifete Jahjaga ka vlerësuar se, sot Kosova ka shënuar golin më të bukur në historinë e saj të futbollit.

Anëtarësimi i Kosovës në UEFA i hap rrugën edhe anëtarësimit në FIFA, ku aplikimi i Kosovës do të shqyrtohet e do të votohet më 12 e 13 maj, në Meksikë.

Ndeshjen e parë zyrtare nën monitorimin e FIFA-s, Kosova e zhvilloi me Haitin në mars të 2014-s, kur nuk u lejuan simbolet shtetërore.

Top Channel