Turqi, grushte në Parlament; pro-erdoganët përleshën me pro-kurdët

03/05/2016 11:15

Parlamenti turk u kthye për të dytën herë brenda javës në arenë përleshjesh mes anëtarëve të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet dhe politikanëve pro-kurdë.

Ato që nisën si fyerje verbale gjatë diskutimeve mbi ndryshimet kushtetutese të mbështetura nga qeveria përfunduan në grushte e shqelma, si pasojë e të cilave disa ligjvënës mbeten të lënduar.

Shkëndijë e përplasjeve të dhunshme u bënë komentet e ministrit të Drejtësisë, Bekir Bozdag, që fajësoi Partinë Demokratike të Popullit për sherrin e ngjashëm të së enjtes së kaluar.

I zemëruar, deputeti i HDP-së Garo Paylan e akuzoi për shpifje, e nga aty, situata nisi përshkallëzimin. HDP-ja në opozitë nuk pajtohet me ndryshimet e propozuara të dokumentit themeltar që shtojnë kompetencat e policisë për kontrolle e arrestime. Sipas saj, kjo lëvizje e qeverisë synon t’u zërë frymën disidentëve.

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan ka kërkuar hapur ndjekjen penale të disa pjsëtarëve të partisë pro-kurde me akuzën se kjo e fundit nuk është gjë tjetër veçse “një zgjatim” i Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit.

Top Channel