Hysaj fiton duelin me Xhimshitin

03/05/2016 00:00

Elseid Hysaj fitoi “derbin e shqiptarëve” në Serie A përballë Berat Xhimshitit, i cili debutoi me Atalantën. Napoli fitoi 2-1 në shtëpi falë dy golave të argjentinasit Higuain.

Ndeshja e parë me fanellën e Atalantës për Xhimshitin nuk shkoi në mënyrën më të mirë, pasi humbi duelin edhe me sulmuesin e Napolit, njeriun e momentit, Gonzalo Higuain.

Një gol në minutën e 10 dhe një tjetër në të 77-n ishin të mjaftueshëm për Napolin për të marrë 3 pikët në shtëpi, në një ndeshje që e dominoi dhe që gjithashtu e fitoi me meritë përballë një Atalante që e kishte siguruar prej javësh qëndrimin.

Edhe Roma fitoi një ndeshje të çmendur përballë Genoas me përmbysje nga ana e të dyja skuadrave, ku 3 pikëshi në fund shkoi për verdhekuqtë që fituan 2-3 falë një goli të El Sharawyt.

Sfida në fakt kishte nisur që në fillim vrullshëm me Romën, që shënoi golin e parë falë Salah, ndërsa Genoa barazoi 7 minuta më pas me Laxalt. Rastet e humbura në pjesën e parë verdhekuqtë duket se i paguan në të 61-tën kur Pavoleti realizoi golin e 2-1 për vendasit.

Megjithatë, Totti që po përjeton një fundsezoni të mrekullueshëm arriti të barazojë rezultatin me një gol të mrekullueshëm nga goditja e dënimit përpara se El Sharawy të shënonte dhe të tretin duke i dhënë Romës fitoren.

Top Channel