“Kushtrim” helvetik, frikë nga përfaqësuesja e Kosovës

03/05/2016 00:00

Me numërimin mbrapsht të hyrjes së Kosovës në UEFA dhe FIFA, kanë nisur të ashpërsohen tashmë edhe publikisht qëndrimet e opinionit në Zvicër mbi futbollistët me kombësi shqiptare.

Bërthama e formacionit helvetik është me origjinë nga Kosova por me njohjen e kësaj të fundit dhe hapjen e rrugës drejt eliminatoreve, çdo lojtar që ka luajtur në kombëtare tjetër, ka të drejtë të zgjedhë përfaqësuesen e trajnerit Bunjaku.
 
“Nëse nuk jeni me ne, atëherë do të jeni kundër nesh” kjo është sinteza e gazetës sportive më të madhe në Zvicër, me shefin editorialist Felix Bingesser që i ka bërë apel të qartë Xherdan Shaqirit, Xhakës dhe kujtdo tjetër të sqarojë pozicionin në ekipin e futbollit.
 
Problemi i lojtarëve të kombëtares zvicerane me prejardhje kosovare është kthyer në çështje dite për opinionin sportiv helvetik, sidomos në një fazë vendimtare kur ekipi i Petkovic, përgatitet për Europianin 2016. Ironi e fatit dhe koincidencë therëse, është grupimi me Shqipërinë, duel që ndjell përplasje brenda dhe jashtë fushës.

“Është shumë e mundur që Kosova së shpejti do të ketë përfaqësuesen e saj kombëtare të futbollit. Është po ashtu shumë e mundur që ndonjëri nga lojtarët e përfaqësueses së Zvicrës të vendosë për të kaluar me Kosovën. Dhe është sigurisht shumë e mundur se disa nga fansat të shqetësohen rreth kësaj. Por, kush dëshiron të shkojë, duhet të shkojë! Edhe përkundër faktit se janë lojtarë të cilët kanë gëzuar një trajtim të kushtueshëm që ua ka mundësuar Zvicra. Në futboll nuk duhet të përjetojë askush martesë me detyrim”, tha gazetari me influencë, Felix Bingesser.

Ka nisur tashmë dhe një sondazh për të kuptuar ndjesinë e tifozëve nëse Xhaka dhe Shaqiri do të zgjedhin Kosovën. Më shumë se gjysma e atyre që kanë votuar, mendojnë po.

Top Channel